Shqipëria
Shqipëria është një vend mesdhetar i cili shtrihet në juglindje të Evropës, në perëndim të Gadishullit Ballkanik. Shqipëria ka një sipërfaqe prej 28.748 km².Shqipëria kufizohet nga Mali i Zi në veriperëndim, Kosova në veri, nga Maqedonia në lindje dhe Greqia në jug. Në kufirin natyror perëndimor Shqipëria ka dalje të hapur në Detin Adriatik dhe në jugperëndim në Detin Jon.
Gjatësia e vijës kufitare të Republikës së Shqipërisë është 1094 km, nga të cilat 657 km vijë kufitare tokësore, 316 km vijë bregdetare, 48 km vijë ndarëse përmes lumenjve dhe 73 km përmes liqeneve.
Kryeqyteti i saj është Tirana. Në perëndim Shqipëria laget nga Deti Adriatik e në jug-perëndim nga Deti Jon. Shqipëria ka një pozitë të favorshme gjeografike, pasi gjendet në kryqëzimin e rrugëve më të shkurtëra që kalojnë nga Mesdheu perëndimor për në Ballkan e Azinë e Vogël dhe kontrollon kalimin përmes kanalit detar të Otrantos.
Luginat e saj më të gjëra janë ato të lumenjve Drin, Shkumbin dhe Vjosë, që lehtësojne, njëkohësisht, lidhjen e brendshme të Ballkanit me detin Adriatik dhe të Azisë së Vogël me viset e Mesdheut. Bregdeti i Adriatikut shtrihet nga gryka e Bunës deri në Kepin e Gjuhëzes. Në gjirin e Vlorës e në drejtim të jugut, bregdeti është i lartë, shkëmbor, ku dominon mali i Karaburunit. Gjiret kryesore të Shqipërise janë: gjiri i Drinit, i Lalëzit, i Durrësit, i Karavastasë dhe i Vlorës, në hyrje të së cilës gjendet ishulli i Sazanit.
Excerpt taken from Wikipedia.com